Mbi 70 mjekë kanë lënë Kosovën për gjashtë muaj

Pacientët dhe familjarët e tyre, çdo ditë po ballafaqohen me korrupsion. Të njëjtit detyrohen të paguajnë nga xhepi për të pakta shërbime që marrin, ndërkohë që atyre po u shkelet edhe e drejta për konfidencialitet.
Kështu është thënë para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi ku janë përmendur të gjitha të metat e sistemit shëndetësorë, e një qytetar ka treguar edhe për përvojën jo të mirë që ka pasur.
I njëjti ka thënë se pacientëve nuk iu garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Bashkim Isari i cili ka përvojë të gjatë në fushën e të drejtave të njeriut ka treguar për përvojën e tij me një anëtar të familjes i cili ka qenë i sëmurë me leukemi akute.
“Shembulli i imi konkret në familje për shkak të një sëmundje të keqe të leukemisë akute, më kanë ballafaquar me shumë probleme. Ato nuk janë vetëm shkelje e të drejtave të pacientëve, por janë edhe një rrezik i jetës së pacientëve të cilët janë të sëmurë. Mund të konstatoj se mbrojta, mjekimi i pacientit dhe rehabilitimi i të sëmurëve me standarde në përputhje me etikën e mjekësisë nuk është në nivele të duhura në Kosovë. Në asnjë institucion, veçmas në QKUK. Pacientëve nuk u garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve mjekësore. Kemi shumë mangësi dhe lëshime për kujdes të shëndetit të njeriut. Mungojnë mekanizmat për mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtave të pacientëve. Nuk informohen si duhet dhe sa duhet dhe nuk kanë përgjigje adekuate për shumë sëmundje”, rrëfen ai.
Kështu është shprehur ai në tryezën e rrumbullakët me temën “Të drejtat dhe siguria e pacientit” të organizuar nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku veç tjerash theksoi se mungon komunikimi mes pacientit dhe mjekut, kështu i sëmuri mbetet pa informacion.
E, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka folur edhe për numrin e madh të profesionistëve shëndetësorë që po dalin jashtë vendit.
“Në si punëtorë shëndetësor nuk e kemi një ligj për të drejtat dhe përgjegjësitë. Jemi i vetmi shtet që nuk e kemi këtë ligj. Më në fund ka filluar, ka filluar koncept-dokumenti… Unë mendoj se ëshë keqinterpretuar për një kohë të gjatë që punëtorët shëndetësorë po kërkojnë paga. Problemi kryesor është te kushtet e punës që automatikisht ndikon në cilësinë e shërbimeve dhe në siguri. Kushtet e punës janë ato që mjekët po shkojnë jashtë. Shifrat e ditës së sotme janë 72 mjekë për gjashtë muaj, kjo deri në fund të vitit do të jetë 150 mjekë”, është shprehur ai.