Mbi dy mijë mjekë e infermierë e marrin dozën e dytë të vaksinës antiCOVID-19

Që nga mërkura kur në Kosovë ka nisur edhe dhënia e dozës së dytë të vaksinës antiCOVID-19 janë imunizuar mbi dy mijë profesionistë shëndetësorë.
Kështu ka bërë të ditur menaxheri i qendrës kryesore të vaksinimit në sallën “1 tetori”, Niman Bardhi i cili tha se vetëm sot në këtë sallë janë vaksinuar 450 persona, ndërsa në nivel vendi janë imunizuar rreth 1 mijë e 600.
“Aktualisht deri në këto qaste që në flasim kemi në sallën ‘1 Tetori’ janë mbi 450 të vaksinuar, nëse i referohemi nivelit të vendit kemi rreth 1 mijë e 600 të vaksinuar. Nga totali i përgjithshëm nga dita e parë e vaksinimit deri në këto qaste që flasim atëherë kemi rreth 74 mijë e 500 të vaksinuar dhe siç po e shihni të gjithë… qytetarët, personeli shëndetësor janë duke respektuar orarin dhe terminet nga telefonatat e pranuara nga Qendra e Thirrjeve dhe fatbardhësisht çdo gjë që deri tani të ecë shumë mirë“, tha Bardhi.
Ai tutje tha se mbi dy mijë mjekë dhe infermierë nga dje e kanë marrë dozën e dytë të vaksinës AstraZeneca.
“Nëse i referohemi totalit deri më tani mbi 2 mijë janë të vaksinuar tashmë sa i përket procesit të dozës së dytë dhe të gjithë këta po respektojnë kohën e ndarë për ta sipas terminëve të ndara nga Qendra e Thirrjeve”, tha Bardhi.