Mbi gjysmë milioni euro për furnizimin me eksploziv në minierat e Trepçës
Trepça Sh.A. ka njoftuar dhënien e kontratës për furnizim me eksploziv për nevojat e minierave në Stanterg dhe Artanë, pas përfundimit të procedurës së hapur të prokurimit.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrata i është dhënë kompanisë “Ex Projekt” Sh.p.k., ndërsa vlera e përgjithshme e saj arrin në 589,777 euro. Kontrata është dhënë më 11 qershor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj pritet të bëhet më 16 qershor, shkruan IndeksOnline.

Për këtë tender janë pranuar gjithsej dy oferta, ndërsa kriter për përzgjedhjen e fituesit ka qenë çmimi më i ulët.
Kontrata ka afat zbatimi prej 12 muajsh dhe ka të bëjë me furnizimin e minierave të Trepçës me materialet e nevojshme shpërthyese për zhvillimin e aktiviteteve minerare./IndeksOnline/

