75 Mall Live Search
20:25 / E Shtunë, 27 Korrik 2019 / indeksADMonline

Mbi gjysmë milioni euro për kompleksin memorial në Gllogjan

Mbi gjysmë milioni euro do të kushtojë konservimi dhe ndërtimi i kompleksit memorial të ish-Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit në Gllogjan.

Në një tender të publikuar, Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka shpallur fituesin e këtij projekti gjigant.

Ky projekt ka të bëjë me konservimin dhe ndërtimin e kompleksit historik, punime lidhur me restaurimin dhe konservimin e objekteve brenda këtij kompleksi që gjatë luftës 1998-1999 janë dëmtuar, raporton Indeksonline.

 Në përshkrimin dhe qëllimin e tenderit thuhet se meqë këto objekte janë dëmtuar gjatë luftës, atëherë duhet të bëhet restaurimi dhe konservimi në mënyrë që objektet e tilla me vlerë historike të ruhen.

 Në një njoftim mbi vendimin e autoritetit kontraktues është bërë e ditur se AMKMK për konservimin e kompleksit, e tjera punime që do të bëhen aty, ia ka besuar operatorit ekonomik ‘Ad Star Shpk’, Perlaj, 1000, Tiranë.

 Vlera totale e kontratës për projektin në fjalë është 586,719,57 euro për tri vite, shkruan Indeksonline.

Ndërsa, vlera e parashikuar ishte 600 mijë euro, por që OE me çmim me të ulët prej 586,719,57 e ka fituar tenderin.

Indeksonline ka kontaktuar edhe zyrtarë nga Komuna e Deçanit për të marrë me shumë informacione lidhur me tenderin në fjalë.

Mirëpo, të njëjtit janë përgjigjur se tenderimin dhe të gjitha procedurat kanë kaluar përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Memorialeve.

“Pas konsultimit më Drejtorin e Urbanizmit Ramë Melaj , po ashtu edhe më Zyrën e Prokurimit në Institucionin Komunal , ju njoftojmë se të gjitha procedurat sa i përket projektit në fjalë, ‘’Shtabi i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së në Gllogjan”, kanë kaluar përmes Agjensionit për Mbrojtjen e Monumenteve, në Republikën e Kosovës, mjetet janë ndarë nga ky Agjesion, tenderimi po ashtu”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Punët kryesore për këtë fazë janë, konservimi, restaurimi dhe revitalizimi rregullimi i hapësirave të hapura – “ muzeu i hapur” moduli 1 i kompleksit të muzeut, moduli 2 i kompleksit të muzeut, punët ndërtimore, instalimet elektrike, instalimet makinerike, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimit dhe punë të tjera.

Afatet kohore për fillimin dhe përfundimin e kontratës janë 01.07.2019 deri me 20.12.2021.

 Në tender është bërë e ditur edhe shuma e shpenzimeve për të gjitha punët që do të bëhen në këtë kompleks memorial./Indeksonline/