75 Mall Live Search
13:25 / E Enjte, 13 Tetor 2022 / AR

Mbi gjysmë viti Kosova pa Kryeprokuror/ Çka po pret Osmani për dekretim, a po kthehet procesi në pikën 0?

Ndonëse kanë kaluar gjashtë muaj që kur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i shkoi emri i Blerim Isufajt, i propozuar për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokuorial, asaj nuk “i bëhet vonë” për dekretim.

Këshilltari për media nga Zyra e Presidentes, Bekim Kupina i pyetur nga Indeksonline se a pritet këto ditë dekretimi i Isufajt si Kryeprokuror, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. “Referojuni komunikatës së datës 4, aty e keni”, u shpreh shkurtimisht Kupina.

Por çka thotë ajo komunikatë?

Atë ditë, presidentja priti në takim ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.

Sa i përket të propozuarit për Kryeprokuror nga KPK-ja, Osmani tha se për qëndrimin e saj do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë.

“Në takim gjithashtu u diskutuan edhe zhvillimet aktuale rreth procesit të nominimit dhe emërimit të Kryeprokurorit të shtetit. Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së. Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes me datë 4 tetor.

Në anën tjetër nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se përkundër faktit se në Kushtetutë dhe ligj nuk ka një afat specifik për marrjen e vendimit, ajo nuk ka të drejtë që pafundësisht të shtyjë vendimmarrjen përkitazi me këtë çështje.

“Duhet të theksojmë faktin se në Kushtetutë dhe ligj nuk ka një afat specifik se kur Presidentja e vendit duhet të marrë vendim përkitazi me propozimin e KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit. Por, kjo nuk nënkupton se Presidentja ka të drejtë që pafundësisht të shtyjë vendimmarrjen përkitazi me këtë çështje. Konsiderohet se e njëjta duhet të vendosë brenda një afati të arsyeshëm kohor”, thotë për Indeksonline Gzim Shala, hulumtues i Lartë në IKD.

Shala po ashtu thekson se në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit ka pasur shkelje të shumta dhe se Osmani duhet të kujdeset që “nga një proces me integritet të kontestuar mos të dal emri i ri i Kryeprokurorit të Shtetit”.

“Në rastin konkret, IKD dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile të cilat kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kanë evidentuar një numër të konsiderueshëm të problemeve në këtë proces, të cilat probleme e kanë cënuar integritetin e këtij procesi. Për këtë arsye, organizatat e shoqërisë civile që kanë monitoruar këtë proces kanë vlerësuar se Kryeprokurori i ri Shtetit nuk mund të dal nga një proces me integritet të kontestuar. Përballë këtij rekomandimi, nuk ka vepruar KPK. Për këtë arsye, IKD vlerëson se është Presidentja e vendit ajo që duhet të kujdeset që nga një proces me integritet të kontestuar mos të dal emri i ri i Kryeprokurorit të Shtetit”, thotë ai./Indeksonline