16:09 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Mbi pesë mijë qytetarë me peticion po kërkojnë hapjen e xhamive

Besimtarët myslimanë po kërkojnë hapjen e xhamive në Kosovë, e sidomos për ditën e faljes së namazit të Bajramit që është të dielën. Tashmë është krijuar edhe një peticion online i cili do t’i dërgohet Bashkësisë Islame të Kosovës për shqyrtim. Liridon Kurti i cili është njëri ndër nismëtarët e këtij peticioni, në një lidhje direkte për Gazetën Express ka dhënë detaje më shumë për këtë iniciativë.

Kurti tha se deri më tani këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 5 mijë besimtarë të fesë islame të cilët po kërkojnë që të hapen xhamitë në Kosovë.

“Janë bërë 5 mijë e 100 nënshkrime për tri ditë, janë më shumë se që kemi pritur. Peticioni po nënshkruhet vetëm online. Pritet ta dorëzojmë nesër në Bashkësinë Islame të Kosovës, sepse është i vetmi institucion kompetent për hapjen e xhamive, institucionet tjera mund të bëjnë rekomandime për hapjen ose jo të tyre”, tha Kurti.

Ai theksoi se po kërkojnë që Bashkësia Islame e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të rishqyrtojnë vendimin e datës 14 mars për pezullimin e aktiviteteve me natyrë tubuese në xhamitë e të gjithë Kosovës dhe mbylljen e tyre për adhurime kolektive si pasojë e Covid-19.