75 Mall Live Search
08:06 / E Martë, 17 Maj 2022 / AR

Mbledhja e djeshme e Qeverisë, Kurti flet për vendimet e marra

Dje është mbajtur mbledhja e Qeverisë ku u morën disa vendime. Kurse sot lidhur me këtë është deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Kurti shkruan sot se Kosova është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e 78 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam vendime të rëndësishme për Republikën dhe për sigurinë e paqen ndërkombëtare.

Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë. Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi.

Me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosëm masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to.

Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin  për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.

Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit.

I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës./Indeksonline/