Mbledhja e komisionit, Musliu-Shoshi jep detaje për planin e punës
Kryetarja e komisionit administratë publike, digjitalizim, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal ka dhënë detaje për mbledhjen e mbajtur mëngjesin e sotëm.
“Në mbledhjen e mbajtur sot të komisionit për administratë publike, digjitalizim, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal, u miratua plani i punës për sesionin pranveror 2026.
Ky plan përcakton prioritetet dhe angazhimet e komisionit në ushtrimin e rolit mbikëqyrës dhe legjislativ, me fokus në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit institucional.
Në mbledhjen e radhës, komisioni do të shqyrtojë raportet e punës për vitin 2025 të këtyre institucioneve:
- Komisioni i Pavarur i Mediave
- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës
- Radiotelevizioni i Kosovës
Po ashtu, në rend dite do të jetë edhe shqyrtimi i raportit të funksionimit të komunave të Republikës së Kosovës.
Përmes këtij procesi, komisioni do të vazhdojë të sigurojë mbikëqyrje aktive dhe të kërkojë përgjegjësi institucionale, gjithmonë në funksion të interesit publik dhe shërbimit ndaj qytetarëve”, shkruan Musliu-Shoshi në njoftim./Indeksonline/

