12:12 / E Premte, 15 Janar 2021 / OSH

Mbledhja e Qeverisë, vendosen masat e reja anti-Covid

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese-elektronike, mbledhja e 58-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente të tjera nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Dokumenti i parë i shqyrtuar dhe miratuar nga kabineti qeveritar ka qenë Raporti i punës i Qeverisë për periudhën qershor-dhjetor 2020. Në vazhdim është shqyrtuar dhe miratuar edhe Rregullorja për rregullat dhe mënyrën e sjelljes së vizitorëve në hapësirat e kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Dy udhëzime administrative kanë marrë miratimin e Qeverisë, Udhëzimi administrativ për mbrojtjen dhe trajtimin e fëmijëve kryerës të veprave penale nën moshën e përgjegjësisë penale dhe Udhëzimi administrativ për zbatimin e drejtësisë mike ndaj fëmijës në procedurën penale, civile dhe administrative.

Kabineti qeveritar, pas shqyrtimit ka miratuar edhe nismën për lidhjen e Memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar, janë miratuar masat për zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021 në vlerë prej dyqind e njëzet e dy milionë e katërqind mijë euro (222.400,000.00 €). Qeveria, gjithashtu ka miratuar vendimin për alokimin e parakohshëm nga ndarjet aktuale buxhetore për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të gjitha kategoritë e shpenzimeve me qëllim të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas kërkesës së 8 janarit 2020 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë është miratuar vendimi për përjashtimin e nenit 3 të Ligjit për prokurimin publik në Republikën e Kosovës për negocimin e kontratës për sigurimin e vaksinave antiCOVID – 19.

Duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është miratuar edhe vendimi për ndryshimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtje nga pandemia Covid-19 në Republikën e Kosovës.