75 Mall Live Search
11:38 / E Mërkurë, 14 Shtator 2022 / L K

Mbledhja e sotme e Qeverisë, Kurti flet për projektligjet e miratuara

Në mbledhjen parë të sesionit vjeshtor të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, bëri të ditur se në vetëm 1/3 e mandatit kanë kaluar mbi 150 projektligje. Ndërkaq, në gjysmën e parë të vitit 2022 janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës.

Në mbledhjen e sotme do të trajtohet projektligji për Prokurorinë Speciale dhe atë për Prokurorin e Shtetit.

“Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe të korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Gjithashtu, kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit përmes projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike e atij për Qeverinë. Për të siguruar efikasitet në trajtimin e kontesteve komerciale kemi themeluar Gjykatën Komerciale, kurse sot do të trajtojmë projektligjin për Prokurorinë Speciale e atë për Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë:

“Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në mbledhjen e 96-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në javën e ardhshme shënojmë 1 vit e gjysmë të qeverisjes sonë demokratike e progresiste. Kthesa që kemi marrë drejt zhvillimit të shoqërisë, nuk mund të jetë e qëndrueshme pa sundim të ligjit, siguri juridike e zbatim të të drejtave të njeriut. Pra, për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vëmë theks mbi rendin dhe ligjin, parashikueshmërinë juridike dhe barazinë.

Në vetëm 1/3 e mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje. Ndërkaq, në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvendin e Republikës. Këtë javë ka rifilluar punën Kuvendi. Nesër do ta kemi seancën e parë të sesionit vjeshtor dhe urojmë që ky sesion të jetë edhe më i suksesshëm. Shifrat rekorde korrespodojnë me vullnetin e kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat e liritë themelore dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit.

Përmes projektligjeve të miratuara kemi fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit dhe të korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Gjithashtu, kemi ngritur llogaridhënien ndaj qytetarit përmes projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike e atij për Qeverinë. Për të siguruar efikasitet në trajtimin e kontesteve komerciale kemi themeluar Gjykatën Komerciale, kurse sot do të trajtojmë projektligjin për Prokurorinë Speciale e atë për Prokurorin e Shtetit.


Përveç vettingut si reformë thelbësore në sistemin e drejtësisë, të cilën ia kemi besuar përfaqësuesve të popullit, vazhdojmë me trajtimin e temës nga e cila varet stabiliteti e kohezioni social.

Spektri i konfliktit të dhunshëm, luftës e i gjenocidit, ende shtrihet nëpër Evropë, duke bërë kështu iluzor zbatimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Funksionimi jo adekuat i institucioneve përgjegjëse apo mungesa e tyre, shpie te pamundësia e rindërtimit të paqes. Historia na mëson që zgjidhjet afatgjate janë të paarritshme atëherë kur nuk bazohen në parimet e drejtësisë, reparacioneve, të vërtetës dhe të garantimit për mos përsëritje.

Është detyrë e Qeverisë që, mbi të vërtetën, të ndërtojë mekanizma dhe institucione për ballafaqimin me të kaluarën dhe krijimin e kujtesës kolektive e cila do të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe gjeneratave të ardhshme.

Për këtë, kam kënaqësinë që sot të hap mbledhjen me pikën e parë të rendit të ditës, e cila i referohet miratimit të projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë thelb i këtij projektligji. Në të gjitha deklarimet e mia që kam pasur lidhur me këtë temë, kam potencuar që krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhen adresuar. Sepse, ato janë parakusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë e zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë. Një shoqëri që nuk harron sepse e institucionalizon kujtesën dhe që mbi supet e përgjegjësisë institucionale gjenë drejtësinë, si parakusht për pajtimin dhe jetesën e dinjitetshme e të përbashkët.

Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës, do të jenë në fokus të veprimit të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhme të ndritur”