Mblidhen tri Komisione parlamentare, këto janë agjendat

Tri Komisione parlamentare do të mblidhen sot në orare të ndryshme.
Së pari, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do të mblidhet në ora dhjetë.
Në këtë Komision do të raportojë inspektori i përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Kujtim Shala.
Raportimi i tij ka të bëjë me Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë, raporton Indeksonline.
Në të njëjtin orar do të mblidhet edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Ky Komision takohet me kryetarin dhe anëtarët e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë Luftës.
Temë diskutimi janë çështjet qё lidhen me vlerёsimin e rasteve tё kategorisё sё viktimave tё dhunёs seksuale tё luftёs.
Ndërkaq, në ora 12:00 mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, i cili do të shqyrtojë në parim Projektligjin për Artin dhe Kulturën si dhe Projektligjin pёr të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta./Indeksonline/