08:32 / E Enjte, 26 Tetor 2023 / MSH

Mblidhen tri komisione parlamentare, tentohet sërish konstituimi i Komisionit Hetimor për menaxhim të rezervave shtetërore

Dy seancave të Kuvendit sot do t’ua paraprijnë mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Me fillim nga ora 09:00, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, për vitin 2022.

Tridhjetë minuta më vonë do të fillojë takimi i Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet Projektligji për kadastër të pronës së paluajtshme.

Në po të njëjtën orë do të mblidhet edhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Ky Komision do të tentojë për herë të gjashtë të konstituohet dhe të nisë punimet.