Mblidhen tri komisione të Kuvendit

Gjatë ditës së sotme do të mblidhen tre komisione parlamentare, Komisioni për Buxhet dhe Transfere, Komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë dhe Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Komisioni për Buxhet dhe Transfere do të fillojë nga ora 10:00, në të do të votohet në parim Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, transmeton Klan Kosova.
Ndërsa Komisioni hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë mbledhjen e sotme do ta fillojë nga ora 13:00 dhe në të do të diskutojë rreth planit të punës për periudhën e mbetur së bashku me ekspertët e komisionit, si dhe do të ketë intervistim i dëshmitarëve.
Në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria e Kosovës dëshmojnë Afërdita Hoxha – u.d. drejtoreshë e Departamentit Ligjorë në MSH dhe Nenad Rashiq – ish udhëheqës i Zyrës për Komunitete në zyrën e kryeministrit të Kosovës.