75 Mall Live Search
11:22 / E Hënë, 24 Qershor 2024 / k.v

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, pritet caktimi i seancës së ardhshme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur të hënën për të përcaktuar rendin e ditës për seancën e ardhshme plenare. Sipas rendit të ditës, Kryesia duhet të caktojë seancën duke i përfshirë pikat e mbetura nga seancat e kaluara, por edhe pika të reja të proceduara nga qeveria.

Në rendi dite janë edhe: Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore; Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje; Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Po ashtu në pikat që ka publikuar Kryesia është edhe; Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë; Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor; Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile; Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore; Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-256 për falimentimin; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-225 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-305 për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror; Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Po ashtu nga pikat e publikuara janë edhe: Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH; Shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës; Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës; Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare dhe: Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.