75 Mall Live Search
16:03 / E Enjte, 09 Tetor 2025 / Z S

Mblidhet policia, gati plani për zgjedhjet e 12 tetorit

Nën udhëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm kolonel Gazmend Hoxha, i cili ishte i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues, u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet lokale 2025”.

Sipas njoftimit në këtë takim morën pjesë stafi i lartë menaxhues, drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.

Në takim Hoxha diskutoi për planin e zgjedhjeve lokale, ku potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës, andaj kërkoi që ky plan të zbatohet me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të përfshira në këtë proces.

Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj./Indeksonline/