75 Mall Live Search
15:23 / E Mërkurë, 18 Mars 2020 / indeksADMonline

Mblidhet sërish shtabi emergjent i komunës së Mitrovicës, propozon masa shtesë kundër Covid-19

Gjatë ditës së sotme është mbledhur shtabi emergjent i Komunës së Mitrovicës, për të diskutuar dhe vlerësuat gjendjen aktuale në këtë komunë.

Në këtë mbledhje që ishte e treta me radhë, u theksua se tashmë është vendosur tenda para  objektit që të QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, me qëllim të shmangen kontaktet brenda objektit të QKMF-së dhe në mënyrë që ata të cilët dyshojnë se kanë simptoma të ngjashme me ato të virusit COVID-19, të kryejnë kontrollin fillimisht në këtë tendë, ndërsa shërbimet tjera në QKMF nuk do të ndalen, por do të vazhdojnë sipas planit të punës.

Në komunikatën për medie nga Komuna e Mitrovicës, thuhet tutje se nënkryetari i kësaj komune Faruk Mujka, e që ishte pjesë e këtij takimi ka thënë se duke e parë se numri më i madh i të infektuarve me virusin COVID-19 janë qytetarë të ardhur nga shtetet e huaja dhe me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, janë kontaktuar të gjithë kryetarët e lagjeve dhe të fshatrave që të bëjnë evidentimin e personave të ardhur së fundi nga vendet e Perëndimit, që të jenë të informuara edhe institucionet përgjegjëse.

Ndërsa janë propozuar edhe masa shtesë si në vijim:

1. Evidentimi i stafit mjekësor vullnetar, sigurimi i kontakteve dhe krijimi i listës.

2. Aktivizimi sa më i shpejtë i një automobili me magnetofon si një ndër mënyrat e shpërndarjes së turmave të njerëzve nga vendet më të frekuentuara siç është Liqeni Akumulues.

3. Sigurimi i pakove ushqimore si rezerva për familjet në nevojë.

4. Krijimi i një linje telefonike falas për dhënien e shërbimeve, këshillave mjekësore nga ana e personelit mjekësor për qytetarët.

Në fund të komunikatës ,Komuna e Mitrovicës apelon tek të gjithë qytetarët që t’i përmbahen masave të ndërmarra nga Shtabi Emergjent Mitrovicë, Qeveria e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.