Mblidhet Shtabi Emergjent i Malishevës, kërkon nga qytetarët zbatim rigoroz të masave mbrojtëse

Me shtimin e rasteve të të prekurve me Covid-19, gjatë ditëve të fundit, edhe komuna e Malishevës ka mbledhur Shtabin Komunal Emergjent dhe Komiteti për Mbrojtje dhe Shpëtim, me qëllim të vlerësimit të situatës me pandeminë me COVID-19 në territorin e Malishevës.
Ani pse nuk ka ndonjë rast aktiv në këtë komunë, rritja e rasteve në nivel vendi, sipas kryetarit të kësaj komune Ragip Begaj, paraqet rrezik të përhapjes së virusit, pasi askush nuk është i amnistuar nga ky virus, transmeton IndeksOnline.
“Nga kjo mbledhje doli rekomandimi për të gjithë qytetarët dhe institucionet që të vazhdohet me zbatimin rigoroz të masave në raport me pandeminë”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.
Tutje u kërkua që të vazhdohet me zbatimin rigoroz të të gjitha rekomandimeve të IKSHP-së, pasi kjo është arma e vetme e parandalimit të përhapjes së virusit.
Ndërsa u rekomandua se persona të cilët nuk përdorin maska, të mos u kryhen shërbimet.
“Krahas institucioneve, edhe sektorët si gastronomia dhe sektorët tjerë, të përdorin maskat dhe masat tjera mbrojtëse, pastaj u kërkua nga inspektorati komunal që të jetë edhe më tepër aktiv në inspektim të zbatimit të masave, si dhe u kërkua nga të gjithë qytetarët, që të zbatojnë rekomandimin e pjesëmarrjes sa më të vogël në ceremonitë e varrimeve dhe në ngushëllime, të cilat ende nuk janë të lejuara të mbahen”, thekson njoftimi.