12:33 / E Enjte, 09 Prill 2020 / indeksADMonline

Mbrëmë për herë të parë, IKSHPK në njoftim përfshiu edhe rastet nga komunat serbe të prekur me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) në njoftimin për rastet e reja me COVID-19, ka përfshirë edhe rastet nga komunat e banuara me shumicë serbe.

Kjo është hera e parë që ky Institut i përfshinë rastet nga komunat me shumicë serbe në të dhënat që publikon për numrin e të infektuarve në Kosovë.

Deri më tani të dhënat nga komunat me shumicë serbe janë raportuar në Serbi.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se përfshirja e rasteve nga komunat me shumicë serbe ndihmon në posedimin e një pasqyre të qartë të shtrirjes së rasteve në gjithë vendin.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik,pas analizës së disa mostrave qe i ka bërë vet në veri, dhe pas raportimeve të rasteve edhe nga ajo zonë, i ka përfshirë në raportin e rregullt edhe rastet e raportuara në veri. Kjo ndihmon për të pasur një pasqyrë të qartë të shtrirjes së rasteve në gjithë vendin”, thotë drejtori i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti.

Me rastet e reja të konfirmuara nga IKSHPK-ja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 224, ndërsa numri i viktimave është gjashtë.