Mbrëmë u vra një hajn, por edhe një tjetër ka ikur i plagosur
Një person mbeti i vrarë mbrëmjen e kaluar në Veternik të Prishtinës.
Katër persona hynë në shtëpinë e një banori të kësaj pjese në mënyrë që të kryenin një vjedhje. Por është pikërisht pronari shtëpisë i cili në momentin e ballafaqimit me personat e armatosur për t’u vetëmbrojtur, shtiu me armë në drejtim të tyre.
Por kjo nuk është e tëra. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka në një prononcim për Indeksonline ka deklaruar se nga vendi i ngjarjes në Veternik u largua edhe një person tjetër i plagosur.
“Dyshohet se nga vendi i ngjarjes ka ikur i plagosur njeri nga pjesëmarrësit. Por mbetet që hetimet e mëtejshme ta vërtetojnë këtë”, ka thënë shkurt Beka.
Ndryshe sipas burimeve të Indeksonline gjatë ditës është raportuar se personi që humbi jetën mbrëmë është Kujtim Krasniqi, rreth të 40-ve, nga fshati Makovc.
Hetuesit policor të Kosovës qëndruan mbrëmë deri vonë në vendin ku edhe ndodhi ngjarja në mënyrë që të mbledhin të gjitha provat e nevojshme për të zbardhur rastin.
Personi i cili shtiu në drejtim të personave të dyshuar dhe la të vdekur njërin prej tyre u lirua menjëherë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, pasi që arma e tij ishte me leje./Indeksonline/