75 Mall Live Search
17:41 / E Martë, 16 Dhjetor 2025 / MSH1

Mbretëria e Bashkuar ofron 600 milionë paund për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës

Mbretëria e Bashkuar po investon 600 milionë paund për t’i ofruar Ukrainës kapacitete të reja mbrojtëse ajrore, me qëllim rrëzimin e dronëve rusë gjatë muajve të dimrit.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se Kievi do të marrë “sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa dhe turela të automatizuara për të rrëzuar dronët”.

Healey do të bashkëkryesojë sot takimin e 32-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, një aleancë prej rreth 50 shtetesh që mbështesin Ukrainën përmes dhurimit të ndihmës ushtarake.

“Ukrainasit vazhdojnë të luftojnë me guxim të jashtëzakonshëm – si ushtria, ashtu edhe civilët,” tha Healey.

Sipas tij, investimi prej 600 milionë paundësh i Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen ajrore këtë vit është ndihmë jetike për Ukrainën, teksa ajo mbron qytetet, qytezat dhe infrastrukturën energjetike nga sulmet barbare të Rusisë.

Ai shtoi se, në bashkëpunim me këtë grup prej 50 partnerësh, Mbretëria e Bashkuar po punon për të ofruar mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e Ukrainës, me synimin që vendi të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm për të siguruar paqen.