Mbrohen në heshtje dy të akuzuarit për vrasjen e rëndë të vitit 2015 në Lipjan

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dy të akuzuarit Besnik dhe Bajram Bedrolli, të cilët akuzohen për vrasje të rëndë, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për t’u mbrojtur në heshtje.
Dy të akuzuarit Bedrolli po ngarkohen se në shkurt të vitit 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit, pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Besnik deklaroi se mbetet pranë deklaratave të dhëna në hetuesi dhe prokurori, dhe se e ndjen veten të pafajshëm lidhur me akuzën e cila i vihet në barrë.
Ndryshe, në këtë seancë janë dëgjuar edhe një herë Ilir Kukaj, ekspert i balistikës dhe eksperti për eksploziv, zjarrvënie dhe grimca të barutit, Milazim Tahirukaj.
Ekspertët deklaruan se në tri dëshmitë e siguruara sikur tek pistoleta dhe tek dëshmitë e dorës së djathtë dhe majtë, është gjetur prezenca e nitriteve dhe nitrateve.
Paraprakisht, eksperti Ilir Kukaj deklaroi se për ekspertim janë sjellë dy armë dhe se urdhëresa e prokurorisë përcakton se cilat ekspertiza duhen të kryhen me provat materiale. Me këtë rast, i është kërkuar të bëjë ekspertizën e armëve.
Tutje shtoi se në rast se kërkohet ekspertiza e ADN-së dhe daltoskopisë, të njëjtat kryhen para se të kryhet ekspertiza balistike që të mos shkatërrohen gjurmët.
Në lidhje me xhaketën, eksperti Kukaj tha se sa i kujtohet kishte pasur pesë dëmtime, një vrimë në xhepin e djathtë.
Sipas tij, shkrepja ka ndodhur brenda në xhepin e xhaketës dhe i ka nxjerrë fijet sintetike të pambukut jashtë, ndërsa dëmtimet e tjera të xhaketës kanë qenë nga jashtë-brenda.
“Nuk mund të përcaktohet që është shkrepur nga e njëjta armë, pasi që nuk ka karakteristika që mund të lidhen me një armë të caktuar, vetëm që janë shkaktuar nga brenda-jashtë tek xhepi i xhaketës, ndërsa pjesën e epërme nga jashtë-brenda”, shtoi eksperti Kukaj,
Eksperti tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja, ku 5 gëzhoja janë shkrepur prej dy pistoletave, ndërsa një gëzhojë e kalibrit 7.65 x17 milimetra, s’është shkrepur nga asnjëra prej armëve që është objekt ekspertimi.
Sipas mendimit tij, gëzhoja e kalibrit 7.65 x 17 mm nuk është e shkrepur atë ditë, por është e mëhershme, për shkak se ka mbeturina, rërë, ndryshk, e që nënkupton që ka qëndruar në ambient të hapur më gjatë.
Pas kësaj, ai tha se nuk ka mundësi të konstatohet se cili plumb e ka shkaktuar cilin dëm në xhaketën e ekzaminuar dhe se nuk ka metoda shkencore që aplikohen për të vërtetuar se në çfarë kohe janë shkaktuar dëmtimet.
Ndërsa, lidhur me pozitën e të ndjerit në raport me armën ai tha se i ndjeri ka qenë i përkulur për shkak se të gjitha dëmtimet i ka në pjesën e epërme të kraharorit dhe në kokë, përkatësisht nga lartë-poshtë.
Konkluzionin se ka qenë i ngrysur, eksperti e tha me arsyetimin se për të shkaktuar në atë trajektore personi që ka shtënë është dashur të jetë shumë lart, e që në rikonstruim të vendit të ngjarjes sipas tij është vërtetuar se ngjarja është zhvilluar në ballkon, që ka qenë sipërfaqe e rrafshët.
Andaj, sipas tij e vetmja mënyrë ka qenë që i ndjeri ka qenë i përkulur në raport me grykën e armës.
Ndërsa, i pyetur se vrima hyrëse dhe dalëse në çfarë vije janë, Kukaj tha se ka plagë shpuese në pjesën e pasme kokës, kurse plagë depërtuese në supin e majtë dhe në pjesë e pasme supit, si dhe dy plagët e fundit janë shkaktuar kur trupi i të ndjerit ka qenë në formën 30 shkallë me boshtin e tërthortë të armës.
Pas kësaj, tha se në xhepin e djathtë dëmtimi është nga brenda xhepit jashtë për arsye se fijet e pambukut janë brenda xhepit jashtë materialit sintetik të flakës së liruar momentin e shkrepjes, ekziston nxirje e xhaketës nga gloza dhe nga tymi në momentin e shkrepjes.
Po ashtu, eksperti tha se xhaketa nuk ka dëmtim në pjesën e jashtme, por në pjesën e brendshme, andaj në bazë logjikës është që nga brenda-jashtë, duke shtuar se arma kur ka shkrepur, ka qenë brenda në xhep dhe si pasojë e inercionit, momentin e shkrepjes, fijet pambukut të xhepit kanë dalë jashtë.
Ai tha se arma është shkrepur nga personi që e ka pasur xhaketën veshur dhe që dorën së bashku më armë në xhep, për shkak se arma ka qenë në xhep kur është shkrepur.
Kurse, bazuar në analizën e provave materiale, sipas tij ka ndodhur vetëm një shkrepje.
Në fund, Kukaj tha se nuk ka mundësi të përcaktojë se çfarë arme e ka shkaktuar cilin dëmtim në xhaketë, me arsyetimin se baruti nuk ka kontakt me armën që të bëhet transferi i karakteristikave të armëve sikurse që ndodhë tek plumbat dhe gëzhojat.
I njëjti shtoi se në analiza kimike nuk na jep rezultat se cila armë e ka shkrepur dhe e njëjta përmbajtje kimike-fizike mund të jetë më tepër se një lloj municioni.
Kurse, eksperti Tahirukaj në këtë seancë deklaroi se në divizionin eksploziv, zjarrvënie dhe grimca barutit, kanë ardhur dëshmitë për ekzaminim nga forenzika e vendit të ngjarjes, njëkohësisht me kërkesë të prokurorisë dhe atë dora e majtë dhe djathë si dhe një xhaketë.
Tutje, i njëjti tha se kanë bërë identifikimin e mbetjeve nga baruti dhe në këtë rast është evidentuar prania e nitriteve dhe nitratet të cilat janë të pranishme edhe të mbetjes të të shtënave me armë zjarri me prejardhje nga baruti.
Po ashtu, tha se janë vetëm për përcaktim se a ka gjurmë barutit apo jo, por jo që nga baruti të përcaktohet arma.
Lidhur me ekzaminimin e xhaketës, ai deklaroi se e bëjnë shkundjen e xhaketës që të mund t’i marrin mostrat prej mbetjes për të përcaktuar se a ka pasur apo jo grimca të barutit, ndërsa shtoi se tek xhaketa mbetja është më e madhe dhe më e qëndrueshëm.
Tutje, eksperti Tahirukaj sqaroi procesin e të qëlluarit me armë dhe shpërndarjen e barutit.
“Gjuajtja me armë pjesën inicuese, gjilpëra e godet pjesën inicuse, atëherë kur arrin temperaturën prej 2500-2700 °C me presion 10 fuqi 4 Kilo Pasakal (KPa) dhe në këtë presion e bënë ndezjen e barutit dhe temperatura shkon deri më 3500 KPa dhe ritet fuqia 10 fuqi 5 KPa, ku si rezultat plumbi del jashtë. Ndërsa, baruti i krijuar në këtë temperaturë krijohet një vërbullë, me një fjalë krijohen gazra dhe ato gazra të krijuara fillojnë të formohen në kontakt me ambientin dhe bihen poshtë të përqendrohen afër objektit sa më afër gazit të krijuar”, tha eksperti.
Me ç’rast, tha se bëjnë identifikimin e mbetjeve të barutit me shirit ngjitës-trasparent në duar dhe në rroba.
Po ashtu, ai deklaroi se dëshmitë që i kanë pranuar për ekspertim nuk është çështje e tyre se kujt i takojnë, mirëpo ai deklaroi se gjurmë që janë marrë në shirit ngjitës- transparent nga dora e majtë dhe nga dora e djathtë, duke përfshirë edhe xhaketën, ka të pranishme barut, përkatësisht nitrite dhe nitrate.
Pasi dy të akuzuarit janë mbrojtur në heshtje, seanca e radhës u caktua më 6 shtator, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.
Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë, herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.
Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.
Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.
Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “Vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Të njëjtit, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.
Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga vepra penale “Vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.
“Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.
Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj.
Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Këtë vendim, Apeli e ka marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Urim Dushullovci.
Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin Dushullovci dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të Dushullovcit katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.