Mbrojta kundërshton vërejtjet e trupit gjykues për vonesat: Ishin jashtë kontrollit tonë, edhe Prokuroria është përballur me këtë
 
				Trupi gjykues në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka kritikuar mbrojtjen e Thaçit për vonesat lidhur me thirrjen e dëshmitarëve, gjë që sipas tyre kanë quar në anulimin e seancave.
Ndërsa, në një parashtresë, Mbrojtja e Thaçit ka thënë se ky nuk është një problem unik pasi edhe Prokuroria gjatë çështje së saj është përballur me gjëra të tilla duke mos qenë në gjendje që t’i mbante të gjitha seancat e planifikuara.
“Mbrojtja vëren se ky nuk është një problem unik; SPO është përballur me pengesa të ngjashme gjatë gjithë çështjes së saj, dhe nuk ka qenë në gjendje t’i mbushë të gjitha ditët e planifikuara të seancës, veçanërisht në fund të çështjes së saj për shkak të çështjeve të disponueshmërisë së dëshmitarëve”, ka thënë mbrojtja në parashtresën e saj.
Mbrojta e Thaçit e përfaqësuar nga avokati, Luka Mishetiq ka thënë se çdo seancë e anuluar ose e mbajtur pjesërisht ka qenë për shkak të rrethanave që janë jashtë kontrollit të mbrojtës.
Gjatë kësaj linje të parashtrimeve, mbrojtja mori shembull edhe përfundimin e shpejtë të ndonjë dëshmie për shkak të vlerësimeve të pasakta.
“Paneli Gjyqësor ka pranuar më parë ndikimin që kanë vlerësimet e pasakta në planifikimin për palën që thërret dëshmitarët, dhe çrregullimin që shkakton në procedura”, thuhet në parashtresë.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                