75 Mall Live Search
11:09 / E Martë, 09 Shtator 2025 / Z S

Mbrojtësi i viktimave kërkon që të pranohen me shkrim deklaratat e 74 dëshmitarëve në rastin e katërshes së UÇK-së

Mbrojtësi i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka kërkuar që të pranohen në prova materiale dëshmitë e 74 dëshmitarëve me shkrim.

Sipas një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, vendimi lidhur me këtë kërkesë të mbrojtësit të viktimave ende nuk është marrë.

Mbrojtës të viktimave në këtë çështje gjyqësore janë Simon Laws dhe Maria Radziejowska.

“Mbrojtësi i viktimave ka kërkuar që të pranohen 74 dëshmi shtesë me shkrim, por gjyqtarët nuk kanë vendosur ende për këtë”, tha ai.

Përveç kësaj, Doyle ka njoftuar se mbrojtjes të viktimave i është aprovuar kërkesa për 6 dëshmi të tjera me shkrim, ndërkohë që çështja e paraqitjes së provave ka përfunduar me dy dëshmitarë në sallën e gjyqit.

Ndryshe, deri më tani janë dëgjuar 127 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Dy prej këtyre dëshmitarëve janë të mbrojtësit të viktimave dhe pjesa tjetër e Prokurorisë.

Ndërsa, si dëshmi me shkrim janë pranuar në total dëshmitë e 137 dëshmitarëve. Siç u theksua më lartë, 6 prej tyre janë të mbrojtësit të viktimave ndërsa pjesa tjetër të Prokurorisë.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast. Ndër dëshmitarët që dëshmuan në seancë publike e që ishin thirrur nga Prokuroria në këtë rast kishte shqiptarë, serbë e ndërkombëtarë. Kurse, më 15 shtator 2025 është planifikuar të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave. Dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave ishin Karin Duhne-Prinsen dhe Dr. Catherine Nicola Black.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Indeksonline/