Mbrojtësit e klimës thyejnë xhamat e njërës nga bankat më të njohura angleze

Policia britanike ka arrestuar shtatë persona gjatë ditës së mërkurë para selisë së bankës Barclays në Londër, pasi aktivistët e ndryshimit të klimës kanë thyer dritaret për të protestuar rolin e sektorit financiar në ndryshimin e klimës.
Reuters shkruan se aktivistët nga grupi Rebelimi i Zhdukjes përdorën çekanë për të thyer dritaret dhe më pas ngjitën mesazhin “Në rast të thyerjes së qelqit të urgjencës klimatike” në pjesën e përparme të ndërtesës së bankës, raporton Indeksonline.
Grupi tha se veprimi ishte pjesë e “Rebelimit të Parave” kundër sistemit kapitalist i cili përdori “veprim të drejtpërdrejtë jo të dhunshëm, duke shkaktuar dëme në pronë për të parandaluar dhe tërhequr vëmendjen për dëmtime më të mëdha“.

Ata akuazuan bankën për “investime të vazhdueshme në aktivitete që kontribuojnë drejtpërdrejt në klimën dhe emergjencën ekologjike”.
“Rebelimi i Zhdukjes ka të drejtën e pikëpamjes së tyre mbi kapitalizmin dhe ndryshimin e klimës, por ne do të kërkojmë që në shprehjen e kësaj pikëpamjeje të ndalojnë sjelljen e cila përfshin dëmtime kriminale në objektet tona dhe vë në rrezik sigurinë e njerëzve“, tha një zëdhënës i Barclays.
“Ne kemi bërë një angazhim për të harmonizuar të gjithë portofolin tonë të financimit me qëllimet e Marrëveshjes së Parisit, me synime specifike dhe raportim transparent, në rrugën drejt arritjes së ambicies tonë për të qenë një bankë zero neto deri në vitin 2050, dhe për të ndihmuar përshpejtimin e tranzicionit në një ekonomi me karbon të ulët”.

Rebelimi i Zhdukjes dëshiron të shkaktojë një revoltë më të gjerë kundër strukturave politike, ekonomike dhe shoqërore të botës moderne për të shmangur skenarët më të këqij të shkatërrimit të përshkruara nga shkencëtarët që studiojnë ndryshimin e klimës.
Masa e grupit kundër Barclays në rrethin e biznesit Canary Wharf erdhi pasi aktivistët javën e kaluar spërkatën bojën e zezë në fasadën e Bankës së Anglisë në qendrën historike financiare, City of London.
“Ju mund të mos e pëlqeni veprimin tonë sot, por unë ju kërkoj të krahasoni një çarje në një dritare me financimin e zjarreve dhe shtëpive të përmbytura“, tha Sophie Cowen, një fushatare 30-vjeçare nga Londra. /IndeksOnline/