Mbrojtja anti-Special: 25 dëshmitarët e Thaçit flasin nga 25 gushti

Tri javët e fund-korrikut dhe fillim-gushtit do të jenë punë intensive për ekipet e Mbrojtjes së katërshes së UÇK-së, para se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të rikthehen në gjykatë të martën e 19 gushtit.
Atë ditë u është caktuar konferenca përgatitore për Mbrojtjen, kur do të zbulojnë përfundimisht numrin e dëshmitarëve dhe listën e provave që do të përdorin, po qe se u duhet ta paraqesin rastin, raporton Klan Kosova.
Kjo i bie që në radhë, sipas aktit akuzues, Thaçi duhet të bëhet gati t’i thërrasë dëshmitarët qysh nga 25 gushti. Bëhet fjalë për 25 të tillë që ky e Jakup Krasniqi synojnë t’i ftojnë, derisa Veseli e Selimi nuk pretendojnë të thirrin dikë tjetër.
Mbrojtja e ka edhe një problem. Gjykata s’i ka dhënë kohë shtesë as për të treguar cilat dokumente do t’i përdorë, e që mund të ndikojnë edhe te ftesat për dëshmitarë.
Kjo për faktin se një kërkesë e 2022-ës tek institucione ndërkombëtare për dokumente të klasifikuara ishte pranuar tek në maj dhe qershor 2025, ndërsa këto dhe përgjigjet tjera që po priten, duhet që të zbulohen si prova për Prokurorinë dhe Gjykatën deri më 21 korrik.
Një ditë më vonë, ndërkaq mbahet një konferencë tjetër për ecurinë e çështjes lidhur me këto njoftime.
Afatet, kryegjyqtari Smith i ka vendosur pavarësisht që ende s’ka verdikt për Mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e pikave të caktuara të Aktakuzës. /Klankosova.tv