Mbrojtja e Krasniqit heq dorë nga një dëshmitar
Mbrojtja e Jakup Krasniqit e ka njoftuar trupin gjykues në rastin në të cilin së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, se nuk do të mbështetet në dëshminë e një dëshmitari.
Emri i dëshmitarit është i redaktuar dhe është thënë se ata nuk do të dorëzojnë asnjë kërkesë sipas Rregullës 154 për dëshmitarin në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në pajtim me Rregullën 119 të rregullave dhe Urdhrin e panelit të dytë gjyqësor, mbrojtja e z. Jakup Krasniqi (“Mbrojtja”) njofton me këtë Panelin e dytë gjyqësor dhe palët se ajo nuk ka më ndërmend të mbështetet në provat e [REDAKTUAR]. Si rrjedhojë, mbrojtja nuk do të dorëzojë asnjë kërkesë në pajtim me Rregullën 154 në lidhje me këtë dëshmitar”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-s dhe pas 20 qershorit të 1999-s.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

