Mbrojtja fiton përballë ZPS-së/ Thaçit, Veselit dhe Selimit iu lejohen vizitat dhe telefonatat

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për të kufizuar vizitat dhe komunikimet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin, është refuzuar nga trupi gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Burimet e IndeksOnline kanë thënë se mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit ka fituar përballë prokurorisë të cilës asnjë kërkesë nuk i është miratuar përveç disave teknike.
“Vizitat janë lejuar, telefonatat po ashtu, por në vend të 4 vizitorëve tash janë nga 1 vizitor edhe që tani masat do të jenë strikte”, ka thënë një zyrtar nga mbrojtja.
Në mëngjes, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se ka kërkuar një sërë masash që kufizojnë kontaktet dhe komunikimet e tre prej të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Sipas ZPS-së, trupi Gjykues ka miratuar disa prej atyre masave.
“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët. Hetimet e ZPS-së lidhur me pengimin e drejtësisë tregojnë se tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara tek ata për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”, thuhet në njoftimin e ri të ZPS-së./IndeksOnline/