75 Mall Live Search
13:44 / E Martë, 28 Tetor 2025 / Z S

Mbrojtja kërkon t’iu ndërpritet paraburgimi të akuzuarve për krime lufte në Istog, kundërshton Prokuroria

Në gjykimin ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte në Istog, mbrojtësit e të akuzuarve- avokatët Millosh Deleviq dhe Dejan Vasiq kërkuan t’i ndërpritet paraburgimi të mbrojturve të tyre. Por, ky propozim u kundërshtua nga prokurorja speciale, Florije Shamolli.

Avokati Deleviq tha se fakti se i akuzuari Pantiq ka dy shtetësi nuk shërben si bazë për vazhdimin e masës së paraburgimit, duke i propozuar Gjykatës zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, vetë Pantiq tha se familja e ngushtë përfshirë motrën dhe axhallarët jetojnë në Kosovë dhe se nuk ka pasur probleme me fqinjët nga Kosova, duke shtuar se organeve të drejtësisë i është përgjigjur përherë.

Sipas Pantiqit, rasti ndaj tij është i montuar politikisht dhe se personalisht ka mbrojtur dhe bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës përgjatë viteve 2002-2003, për sipas tij, çështje të pengjeve.

Në anën tjetër, avokati Vasiq tha se Policia e Kosovës pa asnjë problem mund të mbikëqyrë ndonjë nga masat më të lehta se ajo e paraburgimit, duke përmendur atë të arrestit shtëpiak apo dorëzanisë.

Sipas Vasiqit, të gjithë dëshmitarët e ftuar për t’u dëgjuar janë fqinjë të Zariqit dhe se kurrë nuk do t’ia lejonte vetes i akuzuari Zariq të mos ballafaqohet me dëshmitarë, prandaj edhe nuk qëndron rreziku i ikjes.

Vetë Zariq tha se familja e tij jeton në Kosovë dhe nuk ka arsye t’i ikë organeve të ndjekjes.

Në anën tjetër, prokurorja Shamolli kërkoi që propozimet e avokatëve të refuzohen, me arsyetimin se rreziku i arratisjes është prezent tek dy të akuzuarit marrë parasysh se posedojnë edhe shtetësi të Serbisë dhe se bashkëpunimi juridik ndërkombëtar me Serbinë mungon.

Më pas, Gjykata sqaroi se për propozimet e mbrojtësve të të akuzuarve do të vendosë jashtë seancës.

Më pas, Gjykata ndërpreu gjykimin për të vijuar muajve në vazhdim me dëgjimin e dëshmitarëve të listuar si në aktakuzë.

Në këtë gjykim, paraprakisht u konstatua ndërrimi i kryetarit të trupit gjykues ashtu që në vend të gjykatësit Valon Kurtaj tash vijon gjykatësja Donikë Shala-Abdyli, e cila vendosi që të gjykimi të nisë rishtazi në këtë rast.

Me pajtimin e të gjitha palëve, u konstatua e lexuar deklarata e dëshmitarit Nexhmedin Pepaj dhënë në shqyrtimin e mëparshëm gjyqësor dhe po ashtu të gjithë palët mbetën pranë fjalës hyrëse të dhëna më parë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ish-kryeshef i stacionit policor në Istog, Momir Pantiq dhe ish-polici Zharko Zariq, ngarkohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, më datën 19 maj 1999 në fshatin Dubravë, saktësisht në burgun e Dubravës pas bombardimeve të NATO-s ku si pasojë kishin mbetur të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, Pantiq si kryeshef i stacionit policor bashkë me forcat policore serbe kishin shkuar për të marrë kontrollin e situatës dhe pasi pushuan bombardimet në përbërje edhe të gardianëve kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më 21 maj, ku mbetën të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Ndërsa, një ditë pas në mëngjes gardianët, të burgosurit, serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit dhe më pas, siç thuhet në aktakuzë filluan të gjuajnë me armë zjarri të llojeve të ndryshme, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë.

Gjithmonë, duke iu referuar aktakuzës, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e Pantiqit po ashtu, kidnapuan një civil shqiptar me pseudonimin “A1”, të cilin e dhunuan seksualisht. Përveç viktimës “A1”, në aktakuzë përshkruhet dhunimi i një viktime tjetër- “B1”. Dy të pandehurit, po ashtu akuzohen për vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.