75 Mall Live Search
11:46 / E Hënë, 02 Shkurt 2026 / KV

Mbrojtja kundërshton propozimin e prokurorisë për administrimin e një prove: Po mundohet ta kthejë në jetë pacientin që ka vdekur

Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, prokurorit special, Valdet Gashi propozoi që të administrohet si provë materiale deklarata e zyrtarit korrektues i cili kishte deklaruar se ka dëgjuar të akuzuarin Izet Sheqiri duke komunikuar me të akuzuarin Kadri Sheqiri. Propozimi u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit Izet, avokati Korab Sejdiu.

“(Prokuroria) Po mundohet me kthy në jetë pacientin që ka vdekë…”, tha Sejdiu.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, për këtë propozim, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi tha se mbrojtja nuk e ka këtë provë, duke kërkuar sqarime se përse nuk është propozuar më herët si provë. Kërkoi që të dijë se prej cilës kohë e ka Prokuroria në posedim këtë provë.

Propozimi u kundërshtua edhe nga mbrojtësi i Kadri Brahimit, avokati Driton Musliu, nga mbrojtësi i Faton Vrajollit, avokati Leutrim Syla, si dhe nga mbrojtësi i Hyzri Sheqirit, avokati Ramë Dreshaj.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, nxori vendim duke refuzuar propozimin e Prokurorisë.

Kurse, deklaratat që janë dhënë gjatë fazës së hetimeve, sipas Gjykatës, janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe janë pjesë e shkresave të lëndës dhe se ato do të vlerësohen.

Më pas, seanca u ndërpre pasi që prokurori special tha se fjalën përfundimtare do ta paraqesë në seancë e radhës.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.