Mbrojtja: S’ka prova se Thaçi hartonte komunikatat e UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova që ai ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë Politike para periudhës së përmendur në aktakuzë.
Sipas mbrojtjes, ZPS-ja pretendon se Thaçi e drejtonte Drejtorinë Politike që nga qershori i vitit 1998, mirëpo nuk ka paraqitur asnjë provë që ai e ka ushtruar këtë funksion para kësaj periudhe.
“ZPS-ja pretendon që Thaçi drejtonte Drejtorinë Politike nga qershori i vitit 1998. Nuk ka asnjë provë që të ketë ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë Politike përpara kësaj periudhe. Që kontrollonte politikat e UÇK-së asaj kohe dhe që drejtohej prej Thaçit. Nuhi Bytyçi që thuhej se ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike në vitin 1998. Pretendim tjetër që prokuroria as nuk i bëri pyetje dëshmitarit. Vetë dëshmitari gjatë kundërpërgjigjeve tha se Thaçi nuk ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike deri në nëntor të vitit 1998. ZPS-ja nuk e kontestoi dëshminë e tij ku pati mundësinë për të bërë pyetje shtesë”, tha avokati Luka Mishetiq.
Ndërkaq, avokati i Thaçit tha se prokuroria nuk ka sjellë prova që ai ka qenë figurë udhëheqëse në Lëvizjen Popullore të Kosovës, duke e cilësuar këtë si pretendim të pabazuar.
“ZPS-ja nuk guxonte t’i bënte pyetje Bislim Zyrapit sepse kishte frikë nga përgjigjet që do t’i merrte, kjo nuk është e drejtë për dëshmitarin dhe të akuzuarit. ZPS-ja nuk jep prova që Thaçi ka qenë figurë udhëheqëse në LPK dhe kjo thjesht është e pabazë. ZPS-ja pretendon se Thaçi ka mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve politike që të garantonte të ishin në favor të shtabit të përgjitshëm të UÇK-së”, theksoi Mishetiq, raporton Klankosova.
Gjithashtu, u theksua se nuk ka dëshmi që Thaçi ka hartuar komunikata politike të UÇK-së. Sipas mbrojtjes, ZPS-ja ka cituar vetëm dy prova për të mbështetur këtë pretendim.
“Nuk ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve të UÇK-së. Se ka pasur përfshirje në përgatitjen e deklaratave politike, asnjë dëshmitar nuk ka dhënë dëshmi për këtë lidhur me faktin që Thaçi të ketë hartuar komunikata politike. Në fakt, ZPS-ja arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre që Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e tyre”, tha ai.
Në përfundim, mbrojtja argumentoi se edhe Rexhep Selimi ka pranuar se nuk ka pasur njohuri se kush i përpilonte komunikatat, duke e cilësuar këtë si dëshmi që rrëzon pretendimet e prokurorisë ndaj Thaçit.
“ZPS-ja nuk jep prova që Thaçi të ketë pasur rol në hartimin e deklaratave politike. Edhe sikur ZPS-ja të arrijë të tregojë një lidhje mes Thaçit dhe komunikatave, ajo nuk arrin të vërtetojë që ato kanë qenë një kontribut i konsiderueshëm në lidhje me krimet. ZPS-ja pretendon që Thaçi i shikonte oponentët si kërcënim dhe i paralajmëronte se do të ndëshkoheshin. Është e paqartë për ne si kjo pjesë mbështet pretendimin që Thaçi ka kërcënuar oponentët dhe nuk ka asnjë argument që lidhet me këtë pikë”.
“Rexhep Selimi i ka thënë ZPS-së se nuk ka pasur dijeni personalisht se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së dhe thjesht ka hamendësuar, Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi të kontestonte dëshminë e Selimit”, theksoi avokati Mishetiq.

