75 Mall Live Search
12:35 / E Martë, 04 Prill 2023 / LB

Mbrojtja thotë se Thaçi vetëm në letër ishte udhëheqës i Qeverisë së Përkohshme

Në vazhdimin e procesit gjyqësor pala mbrojtëse ka folur edhe për Drejtorinë Politike të UÇK-së, të cilën e ka drejtuar Hashim Thaçi. Edhe në këtë çështje, mbrojtja tha se Prokuroria ka ngatërruar vetë termin politikë dhe politikat, duke i trajtuar si të ngjashme. Sipas palës mbrojtëse, Hashim Thaçi ka zbatuar politikat e UÇK-së dhe nuk i ka bërë politikat e UÇK-së.

Madje, sipas avokatit , Lluka Mishetiq, Drejtoria Politike e UÇK-së ka pasur edhe zyra në vendet perëndimore që ka pasur për qëllim ndërkombëtarizimin e luftës dhe marrjen e përkrahjes për UÇK-në. Pra, siç tha ai, kjo drejtori ka organizuar edhe konferenca për media, por nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në.  

“Hashim Thaçi respektonte politikat e UÇK-së”, tha avokati, i cili bërë edhe më shumë elaborime për rolin e kësaj drejtorie, takime me ndërkombëtarë dhe angazhimin e saj që të marrë sa më shumë mbështetje politike nga të huajt.

“Thaçi ka drejtuar politikën e UÇK-së dhe jo politikat e saj. Ishte përgjegjës për politikën e UÇK-së dhe jo politikat e saj. ZPS ka përkthyer gabimisht se Drejtoria Politike ishte udhëheqëse e politikave të UÇK-së”, tha avokati.

Ndërsa sa i përket Qeverisë së Përkohshme, në të cilën Hashim Thaçi ishte kryeministër i saj, pala mbrojtëse tha se, Thaçi ishte vetëm në letër udhëheqës i saj.

“Hashim Thaçi nuk pati kurrë pushtet të plotë ligjor. Ai ishte në Qeverinë e Përkohshme që u zëvendësua nga UNMIK-u dhe kurrë nuk pati pushtete. Ai ishte kryeministri në letër”, tha Mishetiq, sipas të cilit, në terren Thaçi nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie dhe kontrolli mbi njerëzit që bartnin uniforma.

Avokati Mishetiq përmendi edhe një raport nga Grupi ndërkombëtar i Krizave (ICG) se “kush kë po e vret në Kosovë”.  “Aty thotë se uniformat i blenë kushdo nëpër dyqane dhe vrasje mund të bëj kushdo”, përmend avokati, i cili gjithashtu se në atë përudhë ka pasur edhe njerëz të tjerë që kishin kundërshtuar demilitarizimin UÇK-së.

Sipas palës mbrojtëse, Hashim Thaçi nuk ka pasur mundësi të ketë kontroll mbi ata të cilin bartnin uniforma.

Po ashtu pala mbrojtëse nxori dhe videot ku është deklaruar kryeministri i përkohshëm Hashim Thaçi, duke iu kërkuar serbëve të qëndrojnë në Kosovë. “Udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht u kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë”, tha avokati mbrojtës. “Kosova është e kosovarëve”, dëgjohet Hashim Thaçi në qershorit 1999 duke folur para qytetarëve të Mitrovicës.