75 Mall Live Search
10:27 / E Martë, 13 Janar 2026 / H F

Mbyllet Aeroporti i Vjenës, reshjet e shiut paralizojnë Austrinë Lindore

Reshjet e shiut kanë shkaktuar kaos në pjesën lindore të Austrisë, duke krijuar kushte ekstreme akulli dhe duke paralizuar qarkullimin rrugor, hekurudhor dhe ajror.

Autoritetet raportojnë për ndërprerje të shumta të trafikut, vonesa dhe anulime shërbimesh, ndërsa ekipet e emergjencës janë në terren duke ndërhyrë vazhdimisht në aksidente të shkaktuara nga rrëshqitjet, transmeton IndeksOnline.

Situata më e rëndë është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vjenës në Schwechat, i cili është detyruar të pezullojë të gjitha operacionet deri në orën 11:00 të paradites. Sipas autoriteteve aeroportuale, temperaturat e ulëta dhe reshjet e akullta kanë krijuar një shtresë të trashë akulli në pistat dhe zonat e manovrimit të avionëve.

Edhe pas procesit të shkrirjes së akullit, sipërfaqet ngrijnë sërish brenda pak minutash, duke e bërë të pamundur zhvillimin e sigurt të fluturimeve. “Operacionet e sigurta ajrore aktualisht nuk janë të mundshme”, kanë deklaruar zyrtarët e aeroportit.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.