Mbyllet afati kalimtar për ekipet angleze
Në orën 18:00 është mbyllur afati kalimtar për ekipet angleze, i cili si çdo vit tjetër edhe këtë herë ishte i “zjarrtë”. Edhe pse merkato ka përfunduar, ekipet mund të përfundojnë marrëveshjet të cilat kanë qenë në zhvillim.
Pati edhe transferime të orëve të fundit, përfshirë David Luiz në Arsenal, Ryan Sessegnon në Tottenham, dhe krejt në fund edhe Kieran Tierney u zyrtarizua si lojtar i Arsenalit, shkruan Indeksonline.
Kampioni i Anglisë, Man City ka transferuar Rodrin nga Atletico Madrid për 70 milionë euro, Joao Cancelo nga Juventus për 65 milionë euro, Angelino nga PSV për 12 milionë euro dhe Zack Steffen nga ekipi amerikan Columbus Crew për vlerën e 8 milionë eurove.
Kampioni i Evropës, Liverpool ka qenë i heshtur pasi që ka marrë vetëm portierin Adrian nga West Ham si transfer i lirë dhe Sepp van den Berg për rreth 2 milionë euro.
Man Utd i Solskjaer ka transferuar lojtarë si Harry Maguire për 86 milionë euro, Aaron Wan-Bissaka nga Crystal Palace për 55 milionë euro dhe Daniel James për 16.5 milionë euro.
Nënkampioni evropian, Tottenham kanë qenë poashtu të heshtur pasi që kanë siguruar shrbimet vetëm të Tanguy Ndombele nga Lyon për 58 milionë euro, dhe Jack Clarke nga Leeds për 10.7 milionë euro dhe krejt në fund zyrtarizuan Giovanni Lo Celson nga Betisi.
Arsenali kanë pasur një treg të dobët deri në ditët e fundit të afatit kalimtar, por dolën ekipi anglez me merkaton më të mirë këtë verë. Topçinjtë fillimisht nënshkruan me William Saliban nga Saint-Etienne për 30 milionë euro dhe Gabriel Martinelli për 6.7 milionë euro, ndërsa kur merkato po shkonte drejt fundit, Arsenali kompletoi huazimin e Dani Ceballos nga Reali dhe blerjen e Nicolas Pepe nga Lille për 80 milionë euro dhe në minutat e fundit zyrtarizoi talentin Kieran Tierney nga Celtic për 27 milionë euro.
Chelsea ka ndalim për transfere dhe nuk ka arritur të bëjë asnjë transfer, ndërsa iu ka larguar ylli i skuadrës, Eden Hazard.
“Gjah” të mirë kishte edhe Everton në këtë afat kalimtar, i cili nuk do të jetë një “kafshatë” e lehtë për 6 ekipet kryesore të Premier Ligës. Ata transferuan talentin italian, Moise Kean nga Juventus për 27.5 milionë euro, Andre Gomes nga Barcelona për 25 milionë, Jean-Philippe Gbamin nga Mainz për 25 milionë euro, Fabian Delph nga Man City për 9.5 milionë euro, Djibril Sidibe në formë huazimi nga Monaco dhe portierin Jonas Lossl nga Huddersfield si transfer i lirë./Indeksonline/