10:23 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / OSH

Mbyllet gjimnazi i Kaçanikut, infektohen 9 mësimdhënës

Është mbyllur gjimnazi “Skenderbeu” i Kaçanikut. Kjo pasi që nëntë mësimdhënës të saj kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, raporton IndeksOnline.

Tashmë të rekomanduar nga Task forca e kësaj shkolle, drejtoria e saj ka marrë vendimin, që kjo shkollë të kalojë në skenarin C, përkatësisht për 14 ditë të vijojë mësimi në platformën online.

Kjo është bërë e ditur nga drejtoria e kësaj shkolle, në Facebook.

“Me gjithë përpjekjet tona për ta sfiduar pandeminë Covid-19, gjendja e krijuar, për çka janë njoftuar të gjitha institucionet relevante, bazuar edhe në rekomandimin e 20.11.2020 të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, na diktoi të marrim një vendim të ri:

– Kalimin në skenarin C të mësimit, përkatësisht në mësimin online, për 14 ditë, deri më 4.12.2020”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, pas testimit të një numri të konsiderueshëm të personelit, nga 12.11.2020 deri më 20.11.2020, gjithsej pozitivë me SARS-CoV-2 kanë rezultuar 9 mësimdhënës.

Ndërkaq, drejtoria ka ftuar nxënësit, personelin e gjimnazit “Skënderbeu” dhe prindërit që të gjithë së bashku, të janë në nivelin e përgjegjësisë ndaj procesit edukativ-arsimor.