Mbyllet institucioni paralel i Serbisë në Shtërpcë, ja çfarë thonë nga Policia

IndeksOnline ka raportuar që nga orët e hershme të mëngjesit për një aksion të zhvilluar në komunën e Shtërpcës, i cili tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit dhe në koordinim me institucionet përkatëse, është kryer një aksion inspektimi dhe më pas është realizuar mbyllja e një institucioni paralel të Serbisë që operonte ilegalisht në këtë komunë.
Bëhet fjalë për një kompani të ujësjellësit dhe mbeturinave, e cila ka funksionuar jashtëligjshëm nën juridiksionin e Serbisë, duke mos iu nënshtruar autoriteteve të Republikës së Kosovës.
“Policia e Kosovës, me njësitë relevante policore dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në raport me aktivitetin e jashtëligjshëm të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Institucionet kanë bërë të ditur se ky veprim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të garantuar sundimin e ligjit dhe respektimin e rendit kushtetues në gjithë territorin e vendit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen ndaj të gjitha subjekteve që veprojnë në mënyrë të jashtëligjshme, duke rrezikuar funksionalitetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës./IndeksOnline/