Mbyllet kompania paralele “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, Rizvanolli: Ky është hap drejt sundimit të ligjit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot për mbylljen e kompanisë paralele të ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, një veprim që u realizua me kërkesë të Njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
Në njoftim, Rizvanolli e cilësoi këtë hap si një veprim konkret në shërbim të sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet legjitime të Republikës së Kosovës.
“Sot është mbyllur kompania paralele e ujësjellësit “Ibar” në Mitrovicën e Veriut, me kërkesë të Njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike të Ministrisë së Ekonomisë. Ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit tonë. Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU “Mitrovica” dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU “Mitrovica”, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU “Mitrovica” për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim. Ky është shteti ynë, këto janë institucionet tona, dhe ato do të jenë të vetmet që shërbejnë në Republikën e Kosovës.”ka ka njoftuar Rizvanolli.
Ajo falënderoi Policinë e Kosovës për mbështetjen në zbatimin e këtij vendimi, si dhe KRU”Mitrovica” për përkushtimin në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve pa dallim.