10:49 / E Enjte, 22 Shtator 2022 / k.v

Mbyllet konkursi për drejtor të policisë/ Kryeministrit së shpejti i shkon emri nga kreu i MPB-së

Është mbyllur konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Aplikacionet tashmë ndodhen në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shumë shpejt pritet të hapen për tu ftuar në intervistë të gjithë ata që plotësojnë kriteret.

Burimet e IndeksOnline brenda ministrisë kanë thënë se ky proces pritet të përmbyllet shpejt dhe menjëherë Ministri i Punëve të Brendshme do t’ia rekomandojë kryeministrit kandidatin e përzgjedhur.

Sipas konkursit, Drejtori i Përgjithshëm i raporton dhe i përgjigjet drejtpërdrejt ministrit të Punëve të Brendshme për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës.

Konkursi ishte i brendshëm pasi që kriter për këtë pozitë është grada policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.

Secili kandidat për këtë pozitë, duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm.

Ndryshe dy javë më parë, kreu i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai tha se po largohet nga kjo pozitë për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të fundit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Kryeministri e liroi atë nga detyra dhe menjëherë e caktoi zëvendësuesin e tij, Fehmi Hoti. Ky i fundit vazhdon të jetë Ushtrues Detyre derisa të emërohet drejtori i përgjithshëm./IndeksOnline/