Mbyllet përsëri rruga Ferizaj-Gjilan në Sojevë
Është mbyllur për qarkullim rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan në fshatin Sojevë për shkak të vërshimit të trasesë së saj pas reshjeve të mbrëmshme të shiut, ka njoftuar të martën Policia Rajonale e Ferizajt.
“Njoftohen qytetarët se aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin te fshati Sojevë, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, është i mbyllur për qarkullim”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai ka bërë të ditur se të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën alternative: Ferizaj – Mirosal – Gjilan dhe anasjelltas.
Në të njëjtën vend, magjistralja ishte vërshuar edhe gjatë reshjeve të fillimvitit, por edhe vjet, duke dëmtuar bizneset dhe tokat përreth.
Policia ka rekomanduar kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shtuara dhe kushteve të vështirësuara atmosferike. “U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, thuhet në njoftimin e policisë.

