Mbyllet shkolla në Bardhosh të Prishtinës, është që tre ditë pa ngrohje

Ka tre ditë që shkolla fillore “Andon Zako Çajupi” në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës nuk është duke zhvilluar mësimin për shkak të mungesës së peletit për ngrohje.
Indeksonline ka kontaktuar me drejtorin e kësaj shkolle, Fehmi Zeqiri për të marrë më shumë detaje ai përmes telefonit ka thënë se ka tre ditë që shkolla po vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të ngrohjes.
“Po që nga dita e mërkurë e deri më sot ne nuk jemi duke punuar për shkak se nuk kemi pelet për ngrohje, kemi bërë kërkesë edhe në Komunën e Prishtinës dhe na është premtuar se shumë shpejt do të na vie furnizimi mirëpo deri më sot nuk ka ardhur. Kompania që eshtë e kontraktuar nga komuna për të na furnizuar me pelet thotë se ka mungesë të peletit në Kosovë dhe për këtë arsye momentalisht shkolla jonë nuk ka furnizim” ka thënë për Indeksonline, Fehmi Zeqiri drejtor i kësaj shkolle.
Edhe në redaksinë e Indeksonline janë lajmëruar disa prindër të cilët janë ankuar dhe kanë kërkuar që sa më shpejt të merren masa nga institucionet komunale në mënyrë që t’u mundësohet dërgimi i fëmijëve në shkollë./Indeksonline/