75 Mall Live Search
13:12 / E Mërkurë, 02 Korrik 2025 / mp

Mbyllet zyrtarisht USAID-i, Shqipëria përfitoi 189 mln $ 4 vjetët e fundit

Që nga 1 korriku është mbyllur zyrtarisht Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio njoftoi ndryshimin në mënyrën se si do të menaxhojë ndihmën e huaj.

“Gjatë rishikimit të mijëra programeve dhe mbi 715 miliardë dollarëve të shpenzuara gjatë dekadave, u bë e qartë se USAID-i ka rënë shumë poshtë standardeve për të avancuar interesat e kombit tonë.

Nga 1 korriku, USAID-i do të pushojë së zbatuari ndihmën e huaj. Programet e ndihmës së huaj, që përputhen me politikat e administratës amerikane, do të administrohen nga Departamenti i Shtetit, ku do të ofrohen me më shumë llogaridhënie, strategji dhe efikasitet”, u shpreh Rubio, raporton euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Më tej sekretari amerikan i Shtetit kritikoi ashpër mënyrën sesi USAID-i ka funksionuar, duke thënë se agjencia “shpesh promovonte ide dhe grupe anti-amerikane” dhe e kishte modelin e saj të ndihmës si një “bamirësi” dhe jo si instrument të politikës së jashtme që shërben për interesat amerikane.

USAID-i shpërndante fonde edhe në vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.

Organizatat joqeveritare në Ballkan kishin përfituar nga fondet e USAID-it vlerën prej 1.7 miliardë dollarësh në periudhën 2020-2024.

Në Shqipëri organizatat joqeveritare kishin marrë 189 milionë dollarë nga USAID-i për 4 vjet.

Mbyllja e zyrave të USAID-it në të gjithë botën dhe menaxhimi i ndihmës së huaj nga DASH-i, sipas sekretarit Rubio, do t’i vendosë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një pozicion më të fortë kundër modeleve shfrytëzuese të ndihmës, si ai i Kinës dhe do të sjellë një “epokë të re partneriteti global, paqeje, investimesh dhe prosperiteti”.