75 Mall Live Search
17:57 / E Mërkurë, 14 Maj 2025 / S Z

Mbyllja e institucioneve serbe në veri, Sveçla: Ka perënduar epoka e tolerimit të paralelizmave përballë institucioneve tona

Policia e Kosovës ka hyrë sot në një objekt në Mitrovicën e Veriut, me kërkesë të Komunës së kësaj pjese, ku më parë ishin të vendosura tri institucione serbe: Institucioni për sport, rini dhe shërbime të specializuara, Lidhja Sportive dhe Shoqëria Kulturore-Artistike “Kosovski božur”.

E lidhur me këtë ka reaguar ministri në detyrë Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se  hapësirat publike të uzurpuara prej dekadash nga strukturat paralele të Serbisë, po kthehen në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve tona, të Republikës së Kosovës.

“Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara. Po ashtu, në një aksion ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut. Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më”, ka thënë Sveçla. .

Ndërsa ka pohuar se në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë./Indeksonline/