Mbyllja e qeverisë së SHBA-së afekton sektorin publik

Një njoftim i lëshuar dje nga Shtëpia e Bardhë paralajmëroi agjencitë që do të preken nga mbyllja e qeverisë, që të “zbatojnë planet e tyre për një mbyllje të rregullt”.
Njoftimi shpjegoi se kohëzgjatja e një mbylljeje është e vështirë të parashikohet. Shumë agjenci do të preken nga situata – por disa shërbime do të vazhdojnë, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.
Mbylljet e mëparshme kanë rezultuar në mbylljen e tokave federale për publikun, duke përfshirë parqet kombëtare dhe pyjet kombëtare. Këtë herë, megjithatë, parqet kombëtare do të mbeten pjesërisht të hapura, sipas një plani emergjence të Departamentit të Brendshëm të publikuar të martën në mbrëmje.
Koalicioni për mbrojtjen e parqeve kombëtare të Amerikës shkroi një letër javën e kaluar duke kërkuar që parqet të mbyllen nëse mbyllet qeveria, nga frika e dëmtimit të peizazheve dhe sigurisë së vizitorëve.
Medicare dhe Medicaid, programet e shëndetit social për të moshuarit dhe të varfrit, do të vazhdojnë, por mungesa e stafit mund të çojë në disa ndërprerje të shërbimeve.
Programi kombëtar i sigurimit nga përmbytjet do të mbyllet, gjë që do të ndikojë në shitjet e pronave.
Programet e ndihmës ushqimore do të preken gjithashtu, me Programin Plotësues të Ushqyerjes për Gratë, Foshnjat dhe Fëmijët (WIC) ku pritet të mbarojnë shpejt fondet.
Mbrojtja e kufijve, kujdesi mjekësor në spital, zbatimi i Ligjit dhe kontrolli i trafikut ajror duhet të vazhdojnë të gjitha.
Një mbyllje federale ka të ngjarë të ndikojë tek udhëtarët, pasi mund të ketë radhë të gjata sigurie dhe vonesa të shkaktuara nga kontrollorët e trafikut ajror të papaguar që zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi në vend që të punojnë falas.