Me 100 mijë euro paditet nga KELKOS-i aktivistja Shpresa Loshaj, pretendojnë se ua dëmtoi imazhin

Aktivistja e shoqërisë civile, Shpresa Loshaj, është paditur nga kompania “Kelkos” për “shpifje”, me të cilën “Kelag Energie” po kërkon nga ajo si dëmshpërblim për prishje të imazhit 100 mijë euro.
Ajo përmes rrjetit social Facebook ka thënë se ka pranuar këtë padi nga avokatët Arianit Koci dhe Granit Vokshi, pasi që ka folur në mediet sociale, si edhe ka dhënë intervista në medie dhe ka kontaktuar ZRrE-në dhe Ministrinë e Ambientit.
“Ne kemi filluar tashmë me përgatitjen e përgjigjes në padi dhe pa marrë parasysh sa 0 ia shtojnë, paditë e tilla nuk na e mbyllin gojën, por na motivojnë që të angazhohemi edhe më shumë në mbrojtjen e ambientit dhe vendit tonë. #DERINEFUND✊ #SkaKthimPas☀️ Së shpejti do t’ju njoftojmë për hollësitë e këtij procesi përmes një konference shtypi”, ka shkruar ajo.
Ndryshe e njëjta kompani kishte bërë padi ndaj aktivistit tjetër Adriatik Gacaferi me 10 mijë euro për kritika të njëjta.
Më 12 nëntor të vitit të kaluar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë së Kosovës, (ZRrE), i dha kompanisë austriake “KelKos” një licencë 40-vjeçare për të prodhuar energji elektrike nga dy hidrocentrale të saj, “Belaja” dhe “Deçani”, të cilat kanë qenë objekt i protestave prej vitesh nga aktivistët e mjedisit.