75 Mall Live Search
21:20 / E Martë, 01 Korrik 2025 / Burim

Më 12 tetor, shqiptarët në Mitrovicë të Veriut nuk garojnë në një listë të përbashkët

Ndryshe nga katër vjet më parë, shqiptarët në Mitrovicë të Veriut nuk pritet të garojnë me listë të përbashkët në zgjedhjet lokale të 12 Tetorit.

Kryetari aktual, Erden Atiq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili më 2022 ishte pjesë e listës së përbashkët për asamblistë të Iniciativës Qytetare “Mitrovica”, e as kabineti i tij nuk u përgjigjën lidhur me këtë temë.

Ndërsa kryetari i iniciativës, që krahas shqiptarëve bëri bashkë në një listë edhe përfaqësues të komuniteteve tjera jo-serbe, Skender Sadiku, konfirmoi që gjërat këtë herë janë ndryshe.

“Përveç spektrit politik e kemi pasur edhe koalicionin VAKAT dhe kjo ka mbetur në histori fatkeqësisht, dhe fatmirësisht në anën tjetër. Misioni i iniciativës qytetare ka qenë të mbajë bashkuar spektrin politik dhe të jemi opozitë e Listës Serbe, e cila dhe i gjithë spektri politik serb ka qenë i barrikaduar në një parti politike kurse fatmirësisht rrethanat janë duke ndryshuar”, ka thënë Sadiku.

Garën në listë të përbashkët me Sadikun, e konfirmoi edhe Betim Osmani – i cili pritet të zyrtarizohet si kandidat i iniciativës qytetare për kryetar të komunës.

“Edhe për kryetar do ta kemi kandidatin, shpresoj që do të jetë kandidati që veçse e kemi pasur, do të jetë Betim Osmani, mirëpo jemi në përgatitje”, ka shtuar Sadiku.

Edhe pse tha që vendimi u takon organeve të partisë, Besnik Xhaka nga dega e LDK-së në Mitrovicë të Veriut, theksoi se nuk do të jenë në listë me kryetarin aktual Erden Atiq – duke shprehur preferencën për garë si të vetëm, raporton rtv dukagjini.

“Është e vërtetë që në zgjedhjet e kaluara ka pasur një listë të përbashkët, por në zgjedhjet në vijim, në vjeshtë, me një qasje destruktive nga kryetari Atiq nuk mund të kemi një listë të përbashkët. Për arsye se ky kryetar është duke marrë vendime të kundërligjshme, tendencioze ndaj banorëve shqiptarë rezidentë”, ka thënë Xhaka.

Edhe pse pranoi se ndarja është në dëm të qytetarëve, kryesuesi aktual i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, tregoi që pritet të ketë një listë tjetër të kombinuar – boshnjakë e shqiptarë.

“Tash nuk jemi të pajtimit që bartës i listës të jetë Skender Sadiku, por na jemi në bisedime edhe me tjera subjekt në kuadër të Kuvendit… (Pyetje: A i bie që me shumë gjasë do të kemi ma shumë se një listë? Sigurisht që po. Sipas bisedimeve, procesi i bisedimeve nuk po shkon në procesin e duhur”, ka thënë Ugljanin.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, kur në garën për Kuvendin Komunal në Mitrovicë të Veriut ishin 19 ulëse, në zgjedhjet e reja janë 15 sish.