Më 14 shtator protestohet në Hagë, Rexhepi: S’mund të rrijmë në heshtje, është thirrje për ndërgjegje kombëtare, për të vërtetën dhe drejtësinë!

Protesta e 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, do të vazhdojë më 14 shtator në Hagë. Protesta do të mbahet më 14 shtator, me fillim nga ora 14:00.
E thirrjet për të iu bashkangjitur protestes nuk kanë munguar. Edhe Fikret Rexhepi, djal i një familjeje që ka dhënë dy bijtë për lirinë e Kosovës, dy dëshmorë të UÇK-së, Beqir e Rexhep Rexhepi, ka thënë se nuk mund të rri në heshtje, kur në Hagë po gjykohen ata që luftuan për të njëjtën liri.
Rexhepi ka thënë se 14 shtatori nuk është thjesht një datë në kalendar, por është një thirrje për ndërgjegje kombëtare, për unitet dhe për drejtësi!
“Në Hagë, para një gjykate që po tenton të gjykojë historinë tonë të përgjakshme të lirisë, po mbahen padrejtësisht burra që nuk luftuan për pushtet, por për çlirimin e një populli të tërë. Ata nuk kërkuan asgjë për vete, por sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për secilin nga ne. Prandaj, le t’i tregojmë botës se shqiptarët nuk harrojnë, se nuk e lënë pas dore drejtësinë, dhe se UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare. Si djali i një familjeje që ka dhënë dy bij për lirinë e Kosovës dy dëshmorë të UÇK-së, Beqir e Rexhep Rexhepi nuk mund të rri në heshtje, kur në Hagë po gjykohen ata që luftuan për të njëjtën liri. Më 14 shtator, ju ftoj nga zemra të jemi bashkë në Hagë, të protestojmë për dinjitetin tonë”, thotë ai.