Më 16 korrik merret vendimi për mocionin e ish-krerëve të UÇK-së, OVL-UÇK ka një thirrje për Specialen

Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka bërë thirrje trupit gjykues të Gjykatës Speciale që të mos mbyllë sytë para të vërtetës së luftës çlirimtare.
Thirrja e OVL-së vjen pas njoftimit se më 16 korrik pritet marrja e vendimit për mocionin e dorëzuar nga ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, shkruan IndeksOnline.
“Ky moment është një test për drejtësinë dhe për të vërtetën. Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi themele të lirisë e dinjitetit kombëtar” deklaron mes të tjerash OVL-UÇK.
Kjo është deklarata e plotë:
Deklaratë nga OVL, SHIL dhe SHFD të UÇK-së
Me 16 korrik pritet të merret vendimi për mocionin e dorëzuar nga presidenti Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ky moment është një test për drejtësinë dhe për të vërtetën.
Lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe e ndërtuar mbi themele të lirisë e dinjitetit kombëtar.
Çdo përpjekje për ta njollosur atë është padrejtësi ndaj popullit dhe ndaj historisë sonë.
I bëjmë thirrje trupit gjykues që në këtë vendim të rëndësishëm të mos i mbyllë sytë para së vërtetës të luftës sonë çlirimtare. Ky është një moment vendimtar që kërkon respektim të parimeve të drejtësisë me ndershmëri.
Populli shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare presin një vendim që respekton sakrificën për liri, dhe jo një vendim që i shërben padrejtësisë.
Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve tanë dhe do të qëndrojmë gjithmonë përkrah tyre.
16 korriku do të jetë dita kur do të shihet se a është e politizuar kjo gjykatë apo ende ka në të jurist profesional dhe të paanshëm.