Me ceremoni ushtarake, u rivarrosën 9 martirët e masakrës e Rezallës

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari si dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, sot u bë rivarrimi i 9 martirëve të masakrës së Rezallës, eshtrat e të cilëve janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.
Me këtë rast Kryetari Jashari, vlerësoi lartë kontributin e gjithë të rënëve në altarinë e lirisë, duke theksuar se masakrat që janë bërë në Kosovë, mbi njerëz të pafajshëm, janë arkivat të cilat e dëshmojnë gjenocidin që ka kryer Serbia mbi popullin shqiptarë.
“Me dhimbje e krenari, sot 22 vite pas luftës, me një ceremoni ushtarake, me prezencë të qindra qytetarëve, rivarrosëm 9 martirët e masakrës së Rezallës, të cilët nga sot pushojnë të qetë në tokën për të cilën dhanë më të shtrenjtën jetë, për t’i bërë roje vendit dhe historisë sonë të lavdishme. Këto masakra, këta arkivole dhe këto komplekse memoriale janë arkiva e cila argumenton vazhdimisht dhe në çdo kohë se kush ishin kriminelët dhe vrasësit, në këtë luftë të pabarabartë dhe të imponuar”, tha Kryetari Jashari.

Jashari, tutje deklaroi se lirinë që sot e gëzojmë është si rezultat i kontributit të jashtëzakonshëm të atyre që i’a falen jetën këtij vendi.

“Sot Kosova jonë, fëmijët dhe të rinjtë jetojnë të lirë, ëndërrojnë e punojnë falë gjakut të derdhur të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të cilët i dolën zot atdheut dhe me gjakun e tyre u bënë themel i lirisë dhe Pavarësisë që sot e gëzojmë. Të rënët në altarin e Lirisë sollën Lirinë e Pavarësinë, Ne jetësojmë amanetin e tyre vetëm duke zhvilluar shtetin”, tha ai.

Gjatë kësaj ceremonie, Jashari, nderoi me mirënjohje Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Prof. Dr. Arsim Gërxhaliu, drejtor për shumë vite i këtij instituti, për kontributin e jashtëzakonshëm, që ka dhënë në identifikimin e mbetjeve mortore të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, të rënë në luftën e fundit çlirimtare 1998-1999, me theks të veçantë në ri-varrimin e dëshmorëve nga Polaci dhe fshatrat tjera, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.
