10:02 / E Premte, 22 Mars 2019 / indeksADMonline

Me Challandes nuk njohim limite, Kosova ka 11 ndeshje pa humbje

Paraqitja në Ligën e Kombeve e Kosovës nuk ishte një rastësi dhe kjo u dëshmua qartësisht mbrëmë në “Fadil Vokrri”.

Kosova e drejtuar nga Bernard Challandes arriti të përballet si e barabartë me nordikët, madje në momente të caktuara u shfaq dukshëm më superiore, ndonëse fati nuk ishte në favor dhe sfida përfundoi në barazim 2-2.

Djelmoshat e Kosovës treguan se janë një skuadër e fortë, një skuadër me shumë talent, një skuadër që luan si një trup i vetëm, duke mos bërë dallimin në individë.

Me këtë barazim, Kosova e ka thelluar rekordin historik të ndeshjeve pa humbje.

Kjo ishte sfida e 11, e 10-ta me trajnerin Bernard Challandes, që Kosova s’di për humbje, ashtu si 67-vjeçari që ende s’e di çfarë do të thotë të humbasësh në stolin e “Dardanëve”.

Kështu, “Dardanët” treguan se janë të gatshëm për ndeshjen e së hënës me Bullgarinë, e para për rrugëtimin drejt “Euro 2020”. /IndeksOnline/