“Më e rëndësishmja është e vërteta”, Xabi Alonso flet për çështjen “Negreira”
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka deklaruar se është e rëndësishme që e vërteta të dalë në dritë për çështjen Negreira, ku Barcelona akuzohet për korrupsion.
Trajneri bask ka mbështetur presidentin Florentino Perez, pasi ky i fundit e trajtoi këtë temë të hënën pasdite gjatë një fjalimi për Krishtlindje.
Perez e cilësoi rastin si “skandali më i madh në historinë e futbollit” dhe theksoi se disa klube mund të kenë rënë nga kategoria si pasojë e tij. Alonso u pyet për këtë çështje përpara përballjes së Real Madridit ndaj Talavera de la Reina në Kupën e Mbretit.
“Ne ndajmë qëndrimin e klubit dhe të presidentit. Gjëja më e rëndësishme është që, për të mirën e futbollit, e vërteta për atë që ka ndodhur të dalë në pah.”
Ndërkohë, Shoqata e Gjyqtarëve publikoi një deklaratë në përgjigje të Perez, duke dënuar përndjekjen e arbitrave. Alonso komentoi se të gjithë kanë të drejtë të mbrojnë veten.
“Është legjitime që secili të mbrojë interesat e veta. Kushdo që ndihet i dëmtuar duhet të flasë. Pikërisht këtë bëjmë edhe ne.”
“Jo, jo. Nuk do të hyj në këtë,” u përgjigj ai, kur u pyet nëse mendonte se titujt e Barcelonës apo La Liga ishin njollosur nga kjo çështje.
Alonso shtoi se dëshiron që të ketë pasoja konkrete nga rasti Negreira.
“Ka gjithçka në çdo ligë. Si njerëz, të gjithë bëjmë gabime. Por ky është një rast që duhet hetuar. Jashtë vendit, njerëzit janë jashtëzakonisht të habitur që nuk ka pasur asnjë veprim apo pasojë. Prandaj është kaq e rëndësishme që e vërteta të dalë. Nuk është normale; nuk mund të trajtohet si diçka normal”, tha Alonso.
Përpara ndeshjes me Talavera, Alonso shpjegoi gjithashtu se i është dashur të përshtatet me jetën te Real Madridi dhe la të kuptohet se i riu Victor Valdepenas do të marrë më shumë hapësira në të ardhmen. Ndërkohë, të premten, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë dëshmi në çështjen Negreira, e cila më pas është zbuluar në media.

