”Më fyu gjakun, djersën dhe rezultatet”, Drilon Hajrizi reagon ashpër ndaj FBK-së
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, ka reaguar ashpër ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës, pasi nuk u përfshi fare në ndarjet e çmimeve të Lauratëve të vitit.
Hajrizi përmes një reagimi në profilin e tij, tha se është injoruar nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe thotë se me këtë është fyer gjaku, djersa dhe rezultatet e tij, shkruan IndeksOnline.
Reagimi i plotë:
Injorimi që më bëri Federata e Basketbollit të Kosovës është më shumë se fyerje. Nuk shkruajta dhe nuk e kisha ne plan të shkruaja asgjë sepse tingëllonte si një lloj oportunizmi, por ajo që më nxiti të shkruaja është modeli që po e lëmë pas. Pa modesti, vitin e kaluar isha model i mirë, më i miri!
Nga salla e operacionit, e me fasha në kokë direkt shkova në Minatori. E dija që nuk mundem të futem menjëherë në lojë, por përçova shpirtin tim luftarak aty. Shpirtin, djersën dhe zemrën e dhurova për Trepçë kampion!
Kjo që bëri Federata e Basketbollit të Kosovës sot më fyu gjakun, djersën dhe rezultatet. Sido që të jetë ata e fyen veten! Unë nuk ndalem kurrë! Do të luftoj deri sa të shtjerrem i tëri për Kosovë, për Mitrovicën, për Trepçën!
Dardan Berisha është lojtar emblematik i Kosovës. Ai është ikonë e Kosovës dhe lojtari më i sukseshëm shqiptar në arenën ndëkombëtare. Vitin e kaluar unë isha më i miri në Superligën e Kosovës.
Kujtojmë që FBK-ja ka shpallur Dardan Berishën si basketbollisti më i mirë i vitit 2025.
Po ashtu në TOP 5 në kategorinë e meshkujve, FBK-ja pos Dardan Berishës ka futur edhe Dardan Kapitin, Don Polloshka, Mikaile Tmusic dhe Valin Bunjakun./IndeksOnline/

